Duke u bazuar në pakënaqësitë e shprehura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës lidhur me pagat e muajit shkurt, sot më datë 03.03.2023 Këshilli Drejtues i Sindikatës së PK-së ka mbajtur takim me qëllim të analizimit të ankesave dhe kërkesave të pjesëtarëve të PK-së duke filluar nga zyrtarët policorë dhe njësitë e stafit civil që punojnë në kuadër të PK-së.
Në këtë takim, përveç anëtarëve të Këshillit Drejtues të Sindikatës kanë marr pjesë edhe përfaqësuesit nga Flota Operative, Logjistika dhe Drejtoria për menaxhimin e objekteve policore, të cilët para Këshillit Drejtues kanë paraqitur pakënaqësitë dhe ankesat e tyre. Po ashtu Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar vërejtje dhe ankesa edhe nga njësitë tjera në kuadër të Policisë së Kosovës të cilat u prezantuan para Këshillit Drejtues.
Pakënaqësitë dhe ankesat e parashtruara para KD kanë qenë si:
Zvogëlimi i pagës neto në disa sektor dhe nivele të ndryshme në kuadër të PK-së
Mos pagesa e shtesës së rrezikshmërisë për Zyrtarët Policorë
Mos pagesa e shtesave për kushte të veçanta dhe specifike të punës për disa kategori të Stafit Civil (punonjësit në PK)
Pakënaqësitë në kategorizimin e disa profesioneve të Stafit Civil dhe mbështetës. Mos përfillja e listës së dërguar nga komisioni i menaxhmentit policor për kategorizimin e profesioneve të ndryshme në PK.
Pas dëgjimit të këtyre pakënaqësive dhe analizimit, Këshilli Drejtues nxori këto kërkesa dhe konkluzione:
Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit mars dhe në asnjë rast të mos ketë zbritje gjatë kategorizimit nga ajo që ka qenë deri më tani, gjegjësisht para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave dhe në mënyrë retroaktive të kompensohet edhe shtesa e muajit shkurt.
Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të realizoj shtesat për stafin civil në PK, ashtu siç i kanë realizuar deri më tani para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe gjithashtu të ketë shtesa për punë specifike dhe për kushte të veçanta të punës. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që stafin civil ta kategorizojë sipas listës së dërguar nga Policia e Kosovës.
Po ashtu, kërkesë e veçantë është që një përfaqësues i sindikatës të merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit në komisionin për caktimin e rrezikshmërisë dhe shtesave të veçanta për kushtet specifike të punës.
Duke u bazuar në konkluzionet e sipërpërmendura kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që më së largu deri në fund të javës së ardhshme të marrim përgjigje në kërkesat tona në të kundërtën jemi të obliguar që të shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe hapat e tjera sindikal të parapara me ligj.
Leave a comment