Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të mos jetë një zgjidhje afatgjate për problemet mes dy vendeve.
Kështu ka shtjelluar Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin në një analizë të publikuar të hënën, më 27 shkurt.
Kjo analizë është publikuar disa orë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Weber e ka kritikuar propozimin e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë që është iniciuar nga Franca dhe Gjermania.
Ky propozim u është dorëzuar palëve vitin e kaluar dhe është pranuar nga Kurti dhe Vuçiç. Megjithatë, ai nuk është bërë publik.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një draft, në të cilin nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Weber ka kritikuar faktin se ky propozim, në formën e tanishme, nuk ka synim përfundimtar arritjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se “propozimi aktual përfaqëson një marrëveshje të ndërmjetme që është e dizajnuar keq dhe është vështirë e definueshme”.
Sipas kësaj analize, nëse marrëveshja nënshkruhet dhe zbatohet do të ketë disa rezultate të shpejta për Kosovën që përfshin pranimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL), e të tjera.
Megjithatë, sipas Weber, kjo “do të dështonte në perspektivën afatgjatë, për shkak të mungesës të një masterplani strategjik dhe një udhërrëfyesi që definon qartë hapat e mbetur deri në rezultatin përfundimtar – njohjen e Kosovës nga Serbia”.
“Propozimi i Brukselit nuk ofron zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme për integrimin e serbëve të Kosovës në Republikën e Kosovës. Kjo do të forconte kontrollin e Beogradit mbi serbët e Kosovës”, u tha në analizë.
Në Bruksel, të hënën pasdite kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të ketë takime të ndara me dy liderët, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për këtë proces, Mirosllav Lajçak.
Më vonë do të zhvillohet takimi i përbashkët.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes Kurtit dhe Vuçiçit si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Kosova insiston që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke. Por, Serbia – që ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është vijë e kuqe për të – kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Leave a comment