Profesori amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se një propozim i cili nuk lë hapësirë për diskutim dhe ofrim të ideve, nuk ka kuptim. Serwer potencon se vetë dialogu dhe po ashtu, marrëveshja nuk do të kishin kuptim nëse do të ishte “merre ose lëre”.
Profesori amerikan u shpreh se nëse kjo është e vërtetë, atëherë i bie që propozimet e Kurtit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, nuk janë marrë parasysh.
“Nëse kështu kanë thënë ndërkombëtarët, është refuzim i kushteve të kryeministrit. Do të kishte pak kuptim në dialogun e ardhshëm dhe aq më pak në marrëveshje nëse propozimi është merre ose lëre”, ka thënë ai.
Por pavarësisht, këtyre zhvillimeve në dialogun Kosovë – Serbi, Serwer mendon se Kurti ka bërë mirë kur i ka propozuar gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit. Sipas tij, kjo do të ndihmonte në fokusimin e diskutimeve.
“Unë ende mendoj se duhet një propozim i Prishtinës për Asociacionin. Mund të mos jetë zgjidhja, por do të ndihmonte në fokusimin e diskutimit”, ka thënë Serwer.
Sa i përket çështjes së Asociacionit, presioni ndërkombëtar është shtuar sidomos kohëve të fundit, për shkak edhe se procesi i dialogut tashmë ka arritur në një fazë finale. Themelimi i një bashkësie të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive është refuzuar disa herë publikisht nga Kurti.
Kjo ka bërë që trysnia ndërkombëtare mbi të të rritet sidomos nga partneri kryesor i Kosovës, ShBA-ja.
Së fundmi është komentuar edhe një mungesë e takimit në mes të Kurtit dhe Sekretarit Amerikan i Shtetit Antony Blinken, në Mynih në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ky “injorim”, i Kurtit nga Blinken, sipas profesorit Daniel Serwer, ka qenë i qëllimshëm dhe po ashtu është mesazh për të.
I pyetur se a do të prodhojë paqe një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse mungon njohja reciproke, Serwer për Rtv Dukagjinin thotë se “ka faza të ndërmjetme që do të ishin të vlefshme”, por sipas tij “paqja është diçka që duhet prodhuar në qëndrimet brenda Serbisë dhe Kosovës edhe para një marrëveshjeje. Unë nuk po shoh shenja të këtyre qëndrimeve”.
Tri ditë para takimit në Bruksel, kryeministri Kurti ka zhvilluar bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të cilit edhe njëherë ia konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ndërkaq, emisari Lajçak, ka deklaruar se nëse palët e pranojnë planin evropian, do të ketë benefite të mëdha për të dyja vendet, por, shtoi se kjo nuk do ta përmbyllë dialogun dhe se nuk do të jetë marrëveshje finale.
Leave a comment