Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq nuk do të sjellë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër.
Përkundrazi, sipas liderit të PDK-së, 27 shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi.
“Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmenaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti. Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi”, tha Krasniqi nëpërmjet një shkrimi të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Sipas kreut të PDK-së, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër”, tha Krasniqi. /Telegrafi/
Leave a comment