Shkruan: Bekim Çollaku
Vetëm pak ditë kanë mbetur deri në takimin e radhës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit.
Ai që dikur me ngulm refuzonte “përqafimin” me Hashimin, tani rrezikon të përfundojë në përqafim të Vuçiçit. Përderisa ende nuk është e sigurt se a do të ketë “përqafim” ndërmjet këtyre dy liderëve shtetërorë, është e qartë se të dytë e kanë pranuar planin apo marrëveshjen franko-gjermane.
Në takimin e radhës që do të mbahet të hënën në Bruksel, pritet nënshkrimi i kësaj marrëveshje që është rezultat i negociatave të fshehta ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit. Fakti që këto negociata kanë qenë tërësisht jo transparente, nuk do të përbente një gabim aq të madh strategjik nga ana e kryeministrit të Kosovës, në rast se do të arrinte t’i siguronte Kosovës një marrëveshje të mirë, e cila do të plotësonte objektivat tona shtetërore në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, kryeministri ynë, ka dështuar keq, duke mos arritur që të negociojë dhe sigurojë një marrëveshje të tillë. I ndodhur në një situatë të tillë tepër të vështirë përballë opinionit publik kosovar dhe i brengosur për pasojat politike që do t’i sjellë nënshkrimi i kësaj marrëveshje, duke përdorur aftësitë e tij manipuluese populiste, tani ai po tenton të na bindë të gjithëve se kjo marrëveshja përmban njohjen “de facto” dhe se e njëjta është imponuar nga partnerët ndërkombëtar.
Në prill të këtij viti mbushen plotë dhjetë vite që nga arritja e marrëveshjes së parë kornizë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Nëse e analizojmë në retrospektivë atë marrëveshje, lehtë arrijmë në përfundimin se për Kosovën ajo marrëveshje për nga rëndësia ka qenë shumëfish më e rëndësishme krahasuar me marrëveshjen që pritet të nënshkruhet të hënën në Bruksel.
Të kujtojmë se nga ajo marrëveshje është arritur zhbërja e strukturave paralele të sigurisë së financuara nga Serbia dhe integrimi i tyre në institucionet ligjore dhe kushtetuese të Kosovës; vendosja e sundimit të rëndit dhe ligjit, kontrolli shtetëror në pikat doganore dhe integrimi i përfaqësueseve të komunitetit serb që jeton në veri të vendit brenda institucioneve tona shtetërore. Për më tepër, Serbia ishte pajtuar që nuk do ta bllokonte Kosovën në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkim Evropian (BE). Si rrjedhojë, Kosova ka negociuar dhe nënshkruar MSA dhe ka përmbyllur obligimet në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, duke e marrë rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian në vitin 2016. Prandaj, padyshim që kjo marrëveshje ka qenë në atë periudhë njohje “de facto” nga Serbia, ndërsa njohja “de jure” ishte projektuar të ndodhte në kuadër të marrëveshjes përfundimtare obliguese ligjore të radhës.
Por, çfarë ndodhi pastaj në këtë proces, është shumë më tepër nga ajo që do të mund ta parashikonin edhe kundërshtarët dhe pesimistët më të mëdhenj. Ironia e fatit mund të jetë një mallkim i pashmangshëm i shumë liderëve. Fatin e tillë, duket se do ta ketë edhe Kurti, i cili erdhi në pushtet me mandatin e qartë të qytetarëve kundër dialogut me Serbinë dhe kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, apo siç e kishte emërtuar ai dhe partia e tij “Zajednicës”. Çirrjet dhe gazi lotsjellës dikur kundër Zajednicës, qartazi po vërtetohet se kanë qenë kundërshtim fals. Mos e bëni ju, sepse dua ta bëj unë.
Për fatin e tij të keq politik, dhe fatkeqësisht edhe të Kosovës, nuk u deshën më shumë se dy vite në këtë proces që Kurti të dëshmojë jo vetëm paaftësinë për të negociuar me Serbinë, por edhe të bindë të gjithë opinionin publik në Kosovë se sa e gabuar, e rrezikshme dhe komike ka qenë sjellja e tij “parimore” ndaj dialogut me Serbinë që nga zanafilla. Kështu, nëse para një dekade Kurti dhe partia e tij pa asnjë hezitim i shpallnin si tradhtarë liderët shtetërorë të Kosovës për shkak se bënin negociata me Serbinë, tani është ai negociatori.
Vite më parë Kurti i përqeshte ish-liderët shtetërorë të Kosovës kur thoshin se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 paraqiste një njohje “de facto” nga Serbia, ndërsa sot ironia e fatit e detyron të thotë një gjë të tillë ai vetë. Nëse vite më parë, Kurti dhe partia e tij votonin kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së, e cila do të mbetet marrëveshja më e rëndësishme kontraktuale deri në anëtarësimin e Kosovës në BE, tani pa hezitim mundohen të marrin ndonjë foto nga takimet e nivelit të lartë në Bruksel. Mund të vazhdojmë në pambarim me situata dhe krahasime të tilla, por nuk ia vlen.
Fokusi duhet mbajtur tek qëllimi përfundimtar i procesit të dialogut, që ndërlidhet me njohje reciproke. Tani çfarë po ndodh në proces, është një riciklim i krejt asaj çfarë ka ndodhur më parë. Kjo në fakt është dështim dhe kthim prapa, sepse në këtë fazë, çdo marrëveshje e cila nuk është përfundimtare, e cila nuk e ka në thelb njohjen reciproke, nuk ka karakter ligjor obligues, por do të prodhojë vetëm një status quo të re dhe asgjë më shumë. Në këtë fazë, Kosova e ka jetike që të sigurojë njohjen de jure nga Serbia dhe të arrijë normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Por kjo gjë, nuk duket askund.
Fatkeqësisht, ata të cilët para një dekadë kanë akuzuar se njohja de facto nuk është e mjaftueshme, tani po mundohen që një marrëveshje të keqe, të cilën e kanë pranuar, t’ia prezantojnë opinionit publik si njohje “de facto”. Një gjë të tillë nuk e besojnë as vetë këta që sot udhëheqin procesin, e lerë më opinioni publik në Kosovë. Mirëpo, kjo sigurisht që nuk do ta minimizojë entuziazmin e kryeministrit Kurti në përpjekjen e tij për të bindur opinionin publik në Kosovë se më e rëndësishme është njohja “de facto” se sa ajo “de jure”. Në fakt, Kosovës i duhet njohja “de jure” sepse njohjen “de facto” e kemi siguruar në muajin qershor të vitit 1999.
Përfundimisht, marrëveshja që pritet të nënshkruhet të hënën, nuk do të shënojë normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo së paku, pritet të normalizojë vetë kryeministrin Kurti, që të kuptojë realitetin politik kosovar dhe atë ndërkombëtar.
Leave a comment