Në një kohë që presidenti amerikan Joe Biden ka përshëndetur unitetin e NATO-s për Ukrainën dhe nga ana tjetër presidenti rus Vladimir Putin fajëson Perëndimin për luftën, presidenti serb Vuçiç paralajmëron përshkallëzim të konfliktit. Në këtë kuadër, Vuçiç shprehet se Serbia duhet të anashkalojë ciklin e konflikteve dhe luftërave.
“Duhet të kuptojmë se në botë ka ardhur një epokë tjetër dhe një gjendje krejtësisht tjetër e vetëdijes dhe se duhet të kuptojmë se është koha për të kapërcyer atë cikël të tmerrshëm fatkeqësish, luftërash dhe konfliktesh që do t’i ndodhte gjithmonë popullit serb”, tha Vuçiç.
Më tej, presidenti serb i komentoi fjalimet e mbajtura një ditë më parë nga Biden dhe Putin, si një konfirmim për dallimet e mëdha në perceptimin e botës së sotme dhe në lëvizjet në vazhdim.
Duke u ndalur më tej te tensionet Beograd-Prishtinë, Presidenti Vuçiç tha se ata që kritikojnë janë përgjegjës për dështimin e Serbisë dhe suksesin e Kosovës.
Por teksa pritej që Presidenti serb të takohej me kryeministrin e Kosovës më 27 shkurt në Bruksel, Vuçiç u shpreh se nuk do të ketë bisedime me Albin Kurtin.
“Natyrisht që do të flitet për ZSO-në sepse unë do të flas për të dhe do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë dhe përsa i përket atij nuk do ta formonte kurrë. Kurti do të shkojë me variantin: “Po, pranoj gjithçka, por fillimisht Serbia na njeh dhe ne menjëherë do të formojmë ZSO-në”, tha Vuçiç.
Një ditë më parë (21 shkurt), Kurti deklaroi se deri në fund të vitit mund të arrihej një marrëveshje me Serbinë, pas dakordësimit në parim për pranimin e planit franko-gjerman.
Leave a comment