Numri dy i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka ngritur dyshime se mostrat e Astrit Deharit mund të jenë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë, edhe para dhjetorit. Sipas tij, hera e fundit kur epruvetat e Deharit janë parë me sy është 8 tetori i vitit 2021. Me këtë deklaratë edhe Sallahu mund të kualifikohet për intervistim. Sot, ndërkaq, Prokuroria e mori në pyetje deputetin Haki Abazi. Ministrja Albulena Haxhiu është intervistuar një herë ndërkohë që pritet edhe paraqitja e Kurtit në Prokurori.
Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media dhe njoftoi se një ditë më herët janë njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Mostrat po ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Por, mbrëmë zëvendësi i saj, Blerim Sallahu, ka ngritur dyshime se mostrat mund të jenë zhdukur edhe para kësaj date.
Sallahu tha se hera e fundit kur epruvetat e Deharit janë parë është 8 tetori i vitit 2021.
“Në laborator gjinden mbi 2 mijë mostra/epruveta të njerëzve të caktuar. Të gjitha janë në një vend të ruajtura. Tash ato epruveta, në momentin që bëhen analiza, arkivohen edhe të njejtën gjë, kur janë bë analizat e Astrit Deharit në tetor të vitit 2021, janë arkivu, pra janë vu në epruveta, sikur të personave të tjerë. Pastaj ne jemi lajmëru më 7 dhjetor 2022 nga Drejtoresha që kanë humbur mostrat…sepse janë bartur prej atij frigoriferi në frigoriferin të ri që është blerë dhe aty është vërejt që mungojnë. Mundet me qenë që edhe ditën e njejtë kanë humbë, nuk e përjashtoj këtë mundësi, por herën e fundit, sipas informacioneve që kemi, herën e fundit që janë parë epruvetat e Astrit Deharit është 8 tetori 2021, saktë është kjo, kur janë pa me sy nga njerëz përgjegjës të institutit”, ka thënë Sallahu mbrëmë në RTV Dukagjini.
Për zhdukjen e mostrave të Deharit, Prokuroria Speciale i ka thënë Gazetës Express para një jave se ende s’ka asnjë të dyshuar.
“Duke iu referuar e-mailit tuaj lidhur me pyetjet e juaja, për rastin e zhdukjes së provave në çështjen Dehari, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje. Duke pasur parasysh se ende jemi në fazën e hetimeve nuk mund të japim informata tjera lidhur më këtë çështje”, kishte thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.
Por, një ditë pas kësaj deklarate të Prokurorisë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë e zhdukur mostrat, duke përmendur edhe disa video-incizime.
“IML është i monitoruar 24 orë prej kamerave dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”, tha Abazi.
Ai kërkoi që për këtë rast të intervistohen edhe Kryeministri Albin Kurti, Ministrja Albulena Haxhiu, Dejona Mihali, Nazlie Balaj dhe Flora Bogaj Bajrami.
Për këto deklarata, Prokuroria Speciale e ka ftuar sot për intervistim Abazin, derisa është paralajmëruar se do të ftohet edhe Kurti.
Pas intervistimit, Abazi doli para gazetarëve, por s’foli shumë. Nuk tregoi as nëse ka dorëzuar ndonjë provë lidhur me rastin.
“Ashtu sic kam marr ftesë nga prokuroria, unë i jam përgjigjur. Prokuroria ka shtruar pyetjet e veta, ka qenë jashtëzakonisht korrekt në procesin e intervistimit si dëshmitar. Të gjitha pjesët e tjera janë absolutisht pjesë e Prokurorisë, ashtu siç e kam bërë deklaratën në hollin e Kuvendit. Është çështje e prokurorisë të merret me këtë cështje dhe të realizojë drejtësinë”, tha deputeti i VV’së.
Lidhur me intervistimin e Abazit, Gazeta Express ka tentuar që të marrë një përgjigje gjatë gjithë ditës nga prokurori i rastit dhe Kryeprokurori, por asnjëri prej tyre s’e ka hapur telefonin.
Deklaratat e Abazit i ka komentuar sot edhe kryeministri Albin Kurti.
“Ato nuk janë të vërteta e dhe nuk janë të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja jonë e Drejtësisë. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalën publike të dikujt”, deklaroi Kurti.
Për akuzat e Abazit është deklaruar edhe Ministria e Drejtësisë, atë ditë.
Nga MD kanë thënë se është e “papranueshme tendenca e deputetit për të keqpërdorur këtë rast për qëllime të ulta”.
“Sapo jemi njoftuar lidhur me deklaratat e tilla, kemi njoftuar kryeprokurorin e shtetit. Ky rast është shumë i ndjeshëm sikurse edhe ka vëmendjen e opinionit publik. Ministrja Haxhiu ka dhënë dëshminë e saj para institucioneve të drejtësisë. Dëshmitari i radhës është deputeti Abazi. E ka përgjegjësinë ligjore që të flas për secilin pretendim. Urojmë që të mos tentojë të fshihet prapa imunitetit prej deputeti. Ne e konsiderojmë të papranueshëm tendencën e tij për të keqpërdorur këtë rast për qëllime të ulta”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë dhënë Gazetës Express.
“Vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”
Në konferencën kur kishte njoftuar për këtë rast, Haxhiu e kishte quajtur këtë akt të rëndë dhe kriminal.
“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Kelmendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, kishte thënë Haxhiu.
Ministrja kishte treguar edhe se në atë hapësirë të IML’së kishin qasje vetëm tre persona, derisa ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.
“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, tha Haxhiu.
Kthehen në punë të suspenduarit për zhdukjen e mostrave të Deharit
Për këtë rast, Ministria e Drejtësisë kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata që u pezulluan ishin Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë dhe Ilirjana Shala, kimiste në këtë Institut.
Të njëjtit janë kthyer sërish në punë, me një vendim të Komisionit të Ankesave brenda IML-së.
Ndërsa dorëheqje dha zëvendësdrejtori i IML’së, Naim Uka. Uka i kishte thënë Gazetës Express se dorëheqja ishte morale.
“Kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit te IML-së”, kishte deklaruar Uka.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 2016.
I ndjeri se bashku me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, po hetohej nën dyshimin se kishin planifikuar dhe organizuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.
Të njëjtit janë liruar nga akuza më 27 dhjetor të vitit të kaluar.
Leave a comment