Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se pas shqyrtimit të raportit të Komisionit Hetimor për Energjinë Elektrike të mërkurën, do të dorëzojnë një kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit kundër Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Tahiri ka thënë se PDK-ja do ta dorëzojë kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës pas seancës së të mërkurës.
Ai ka thënë se raporti i Komisionit Hetimor, në të cilin është intervistuar edhe ambasadori Berishaj, përmban shumë gjetje rreth menaxhimit të krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
“Ky raport gjen jashtëzakonisht shumë gjetje në menaxhimin e krizës energjetike. Dhe, në anën tjetër po ashtu jemi duke përgatitur një kallëzim penal mbi të gjeturat e këtij raporti dhe në momentin e miratimit apo mosmiratimit (të raportit) do ta dorëzojmë këtë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Tahiri.
Shefi i deputetëve të PDK-së ka deklaruar se ka dyshime mbi financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje nga Martin Berishaj.
“Ka shumë supozime se me këto mjete është financuar fushata e kryeministrit Kurti në vitin 2021. Mirëpo, normalisht kjo është një çështje e cila duhet t’i nënshtrohet një hetimi penal”, ka thënë ai.
Leave a comment