ShBA-ja ka “përcaktuar zyrtarisht” se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë, ka thënë zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris.
Në Konferencën e Sigurisë në Munih, Harrisi e akuzoi Rusinë për “akte të tmerrshme të vrasjes, torturës, përdhunimit dhe dëbimit” që nga pushtimi i saj.
Ambasadori i Moskës në ShBA hodhi poshtë pretendimet dhe e akuzoi Harrisin për përpjekje për ta “demonizuar Rusinë”.
Udhëheqësit botërorë në konferencë bënë thirrje për mbështetje afatgjatë të Ukrainës.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, tha se është koha për ta “dyfishuar” mbështetjen ushtarake, raporton BBC. Ai argumentoi se aleatët perëndimorë duhet të fillojnë të planifikojnë për sigurinë e ardhshme të Ukrainës si dhe t’ia dërgojnë armët që i nevojiten për të mbrojtur veten.
Harrisi u tha delegatëve se autorët e krimeve të dyshuara ruse në Ukrainë duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Veprimet e tyre janë një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe njerëzimit tonë të përbashkët”, tha ajo.
OKB-ja i përkufizon krimet kundër njerëzimit si një “sulm i përhapur ose sistematik” ndaj një popullsie të caktuar civile.
Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë shënjestruar civilët gjatë pushtimit të saj.
Anatoli Antonov, ambasadori i Rusisë në ShBA, tha se pretendimet e zëvendëspresidentes amerikane ishin një përpjekje cinike për ta “demonizuar Rusinë në rrjedhën e një lufte hibride”.
Leave a comment