activeKryesoreLajme

Kosova kremton pavarësinë mes debatesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Monumenti NEWBORN që u vendos në Prishtinë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008, sivjet duket ndryshe. Mesazhi pasqyron shqetësimet për rrjedhën e negociatave me Serbinë, ndërsa është shtuar trysnia perëndimore për një marrëveshje, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Nga Zëri i Amerikës

Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një marrëveshje, diplomacia perëndimore ka shtuar trysninë mbi Prishtinën për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Prishtina ka hezituar të zbatojë marrëveshjen nga frika se Asociacioni mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje, megjithëse Shtetet e Bashkuara e kanë siguruar atë se kjo nuk do të ndodhë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha mëngjesin e së premtes se pavarësia është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të, komunitete të feve dhe gjuhëve të ndryshme.

“Ne e dimë mirë ç’është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetese të suksesshme – të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që dëshirojnë të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosen vullnetit të shumicës për pavarësi. Sot në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë – dhe e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet, me formula eksperimentuese të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”, tha kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë së tij me të cilën u hap një ditë kremtimesh.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia me 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe mbi popullsinë shqiptare.

Beogradi reagoi me zemërim dhe i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vlerësimin e vendimit të Kosovës. Në vitin 2010 Gjykata tha se “deklarata e pavarësisë së Kosovës, e miratuar më 17 shkurt 2008, nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por, Serbia vazhdon ta kundërshtojë me mbështetjen e Rusisë dhe për këtë arsye ajo ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Prishtina akuzon Beogradin se po shfrytëzon pakicën serbe, për të rritur tensionet, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb.

Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për një konflikt të mundshëm nëse Kosova dhe Serbia nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje që synon të zbusë tensionet e vazhdueshme.

Diplomatët perëndimorë u thanë të dyja palëve se duhet të deklarojnë deri në mars nëse e pranojnë planin për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojë në parim propozimin, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Vëzhguesit e pavarur janë të ndarë në pikëpamjet rreth propozimit. Ndërsa një pjesë thotë se ky është plani më i mirë i mundshëm në këtë kohë kur kontinenti evropian përballet me luftën në Ukrainë, pjesa tjetër mendon se plani ofron një zgjidhje të ndërmjetme që nuk i jep fund problemit.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...