Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë me Deutsche Welle-n, ka thënë se imazhi i Kosovës në botë, në ditët e sotme, është më i miri, prej se është shpallur pavarësia, 15 vite më parë.
Kurti tha se në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, festojmë me gëzim për sukseset dhe në të njëjtën kohë me dhembje për çmimin e lartë që kemi paguar.
Ai këmbënguli se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ndërsa sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kurti tha se një gjë e tillë nuk kërkohet nga serbët që jetojnë në këto komuna, por nga vetë Serbia, pasi sipas tij, Serbia nuk lejon integrimin e serbëve në shtetet fqinje, pasi që ende synim ka krijimin e një ‘Bote Serbe’. Ai po ashtu tha se në të njëjtën marrëveshje ku bën pjesë Asociacioni, Serbia e ka shkelur kur i dërgoi letra pesë shteteve të BE-së mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, duke i kërkuar që të mos e pranojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Kurti po ashtu tha se po pret ftesë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, për një takim të ardhshëm në Bruksel mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Intervista e plotë
DW: Si e feston koha këtë vit, 15 vjet nga shpallja a pavarësisë?
“Në 15 vjetorin e pavarësisë, ne festojmë me gëzim për sukseset dhe të arriturat, dhe në të njëjtën kohë, edhe me dhembje dhe pikëllim për çmimin e lartë që kemi paguar, edhe për çlirimin, edhe për pavarësimin e vendit tonë, duke kujtuar ata që sakrifikuan dhe kontribuuan. Kosova njihet nga 117 vende anë e mbanë botës dhe sot imazhi i Kosovës në botë është më i miri prej se e kemi shpallur pavarësinë”
“Në dy vitet e fundit kemi avancuar 20 vende sa i përket luftimit të korrupsionit, sipas organizatës prestigjioze ndërkombëtare “Transparency International”, për herë të dytë jemi të parët në Ballkan, sa i përket sundimit të ligjit, sipas “World Justice Project” dhe gjithashtu kemi avancuar 17 vende sa i përket lirisë së medias. Rritje ekonomike katër përqind pasi që të hiqet inflacioni, eksportet janë rritur për 23 përqind, të hyrat tatimore 22 përqind, buxheti për 17 përqind dhe investimet e huaja për 44 përqind. Pra progresi demokratik dhe progresi ekonomik në Kosovë është evident. Kjo na bën edhe krenar edhe optimist”,
DW: Sigurisht, sfida më e madhe e Kosovës është dialogu me Serbinë dhe arritja e marrëveshjes finale, këtu përmenden shumë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, plani franko-gjerman që tani është marrë edhe nga Bashkimi Evropian, a do të ketë një zgjidhje të shpejtë apo si e shihni, çfarë është e rëndësishme, si do të dilni nga situata e firmosjes së marrëveshjes, ose gjithë kjo atmosferë që ekziston?
Dialogu në Bruksel është dialog mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim normalizimin e plotë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, pra nuk është dialog për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova, përveç se ka shpallur pavarësinë këtu e 15 vjet më parë, para 13 vjetëve e ka opinionin këshillues pozitiv nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që konstatoi se shpallja e pavarësisë nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ndërkaq në vitin 2012, në shtator, u përmbyll mbikëqyrja e pavarësisë. Pra le të mos harrojmë katër vitet e para, kur shpallëm pavarësinë, nuk kemi qenë plotësisht të pavarur. Republika jonë, le të themi ashtu, kishte një mbret, diplomatin senior Pieter Feith, i cili njihet mirë rajonin tonë dhe i cili ndodhej mbi presidenten, mbi kuvendin e mbi qeverinë, por 25 shtetet e grupit mbikëqyrës ndërkombëtar thanë: ‘Mjaft është mjaft. Kosovës duhet t’i përfundojë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë’ dhe që prej atëherë Kosova është e pavarur. Tash çfarë duhet të bëjmë, është që të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, unë nuk them që njohja reciproke është e vetmja gjë që do përfshijë marrëveshja, mirëpo duhet të jetë në qendër, s’mund të ketë normalizim pa njohje dhe po ashtu duhet të trajtojmë çështjen e pakicave kombëtare. Në Kosovë janë 93 përqind shqiptarë, 4 përqind serbë, 3 përqind janë turq, boshnjakë, romë, ashkali, egjiptian e goran, ndërkaq në Serbi, rreth 80 përqind janë serbë, 20 përqind janë shqiptarë, boshnjakë, hungarezë, bullgarë, kanë gjithsej 21 minoritete atje, prandaj nuk mund të ketë dallime të mëdha midis të drejtave të pakicave kombëtare, nëse duam paqe afatgjate dhe siguri të qëndrueshme. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është pjesë e një marrëveshje të prillit 2013, që presidenti i Serbisë e shkeli me datën 10 dhjetor të vitit të kaluar, ku i dërgoi letra Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, duke kërkuar që të mos pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilin unë e dorëzova me datën 15 dhjetor në Pragë, vitin që shkoi. Pra marrëveshjen më të dashur të tyre, ata e kanë shkelur, ironikisht në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, më 10 dhjetor. Duhet reciprocitet i të drejtave, duhet kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, e ajo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk mund të ketë Asociacion një-etnik. Asociacioni i Komunave mund të jetë mbi pikëpamje zhvillimore, pa harruar që Kosova e ka një Asociacion të Komunave dhe çfarë do të mund të bënin ndryshe Zveçani, Shtërpca e Parteshi, që s’mund ta bëjnë në atë Asociacion. Unë nuk jam për të diskriminuar askënd, por as për të favorizuar dikë tjetër. Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve, është kërkesë e Serbisë, e cila nuk i lejon serbët të integrohen as në Bosnje e Hercegovinë, as në Mal të Zi, as në Kosovë, sepse dëshiron ta realizojë projektin e Serbisë së Madhe, që tash ia ka ndërruar emrin në Bota Serbe.
DW: A besoni se mund ta negocioni pjesën e njohjes eksplicite? Në Kuvendin e Kosovës keni thënë që megjithatë, ky plan është ‘lëre ose merre’.
Propozimi është bazë për diskutime të mëtutjeshme, platformë solide për ecje përpara, ka punë që të shndërrohet në një marrëveshje, por unë do t’i njoftojë deputetët e Kuvendit të Republikës, dhe në veçanti krerët e partive opozitare, ata nuk do të kenë asnjë befasi nga ana ime, do të bashkëpunojmë si institucione shtetërore, në mënyrë që ajo që është e drejtë dhe e dobishme për Republikën e Kosovës, të realizohet. Por këtu nuk jemi vetëm ne faktori, janë edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe gjithashtu është edhe Serbia, përkatësisht Beogradi zyrtar. A do të kemi marrëveshje apo jo dhe nëse kemi, sa shpejt, varet shumë prej trysnisë së faktorëve ndërkombëtar mbi Beogradin, i cili as nuk po distancohet nga Millosheviqi në të kaluarën dhe as nga Putini në të tashmen.
DW: Për fund, a mund të pritet një takim me presidentin Vuçiq dhe cila do të mund të ishte agjenda e një takimi të tillë?
Nga data 18 gusht, takimet tona kanë strukturë të qartë, takimi zhvillohet në Bruksel, me ftesën e Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ndihmohet nga emisari i tij, Miroslav Lajçak, me pikën e parë të rendit të ditës; korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe pika e dytë është ‘çështjet aktuale’. Unë pres që të bëjmë dialog për marrëveshje dhe pres që së shpejti zoti Borrell të na ftojë, por kur do ta bëj ai këtë, natyrisht se varet prej vlerësimeve të tij. Nga ana ime, unë kam shprehur gatishmërinë, vullnetin, interesimin dhe do të jem konstruktiv, i përkushtuar e kreativ.
Leave a comment