Shkruan: Muhamet Hamiti
Sot dy vjet i fitoi zgjedhjet me 51% shumica parlamentare (qeveria e sotme) që e mbiquan veten ‘regjimi i ri’ për sa kohë që qeverive të mëhershme në Kosovën demokratike u referohet si ‘regjimi i vjetër’.
Mbasi s’ia ka dalë të bëjë përparime në asnjë fushë – mbase as që ka synuar diçka të tillë – ndërsa ka ngecje dhe regres në shumë prej tyre, regjimi i ri i VV-së së Albin Kurtit po e qeveris vendin keq për aq sa qeveris, sepse më shumë administron dhe, kur mundet, sundon. Kapja e shtetit po bëhet në emër të çkapjes.
Ndryshimi ka ndodhur në Kosovë më 14 shkurt 2021. Për keq, natyrisht.
Qytetarët e Kosovës, sikur edhe shumica e 51%-shit që e kanë votuar regjimin, po e jetojnë në lëkurën e vet gjendjen e pashpresë në rrafsh social dhe ekonomik, por edhe mungesën e perspektivës si rezultat të kësaj qeverie të padijshme që pazotësinë e vet përpiqet ta mbulojë me propagandë agresive të sojit Agjitacion dhe Propagandë, tipike për regjimet komuniste të Lindjes në shekullin e kaluar.
Kur dikush ua nxjerr në pah dështimet – mungesën totale të investimeve kapitale, gjendjen e përkeqësuar në arsim dhe shëndetësi pas ndërhyrjeve flagrante të kësaj Qeverie, rritjen enorme të kostos së jetës së qytetarëve, braktisjen masive të Kosovës prej profesionistëve dhe të rinisë përgjithësisht – makineria propagandistike e Qeverisë Kurti e përmend regjimin e vjetër si fajtor kujdestar për dështimet e veta.
Kosova i ka punët më keq se asnjëherë në këto 15 vjet të pavarësisë së vet në kohën e Qeverisë së Ndryshimit, të Shpresës, të Progresit, siç ka qejf ta quajë veten ky pushtet. Në punët e brendshme e të jashtme dështime pa fund. Seicili do t’i shkojë këto në mend në një ditë si kjo, për çdo ditë.
Në komunat veriore me shumicë serbe kemi tash e disa muaj vakuum ligjor e të sigurisë. Më pak sundim të ligjit në kohën e propagandës kumbuese për vendosje të sundimit të ligjit në atë pjesë të Republikës së Kosovës.
Dialogu me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, për marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, me njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë, siç e kërkonte Kosova, por edhe SHBA-të, është kthyer tash në dialog për një marrëveshje bazë që njohjen s’e ka as në qendër as në periferi. Në qendër të saj, edhe për fajin e kësaj Qeverie, do të jetë Asociacioni, të cilin kjo klasë politike e kundërshtonte me dhunë të paparë në Kuvend si Zajednicë dhe po e pranon si Asociacion. Ngjashëm e kanë pasë kundërshtuar demarkacionin. Kundërshtarët më të dhunshëm e miratuan më vonë në Kuvend. Bashkimin kombëtar e harruan me t’i fituar zgjedhjet para dy vjetësh. E morën vesh vonë që nuk e lejuaka Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Jokonsistenca konsistente, ndërrimi i qëndrimeve për 180 shkallë, është konsistenca e vetme e regjimit të ri në Kosovë.
Opozita është e dobët, thonë të pakënaqurit. Ndoshta s’është ende mjaft e fuqishme për ta kundërshtuar këtë pushtet arrogant dhe autoritar; jokompetent po se po. Opozitën nuk e bëjnë vetëm partitë politike. Pakënaqësia qytetare e shprehur me zë, publikisht, bën punë po ashtu. Për këtë duhet guxim
Leave a comment