Lajme

Përse dramat e Brechtit vihen në skenë në mbarë botën?

Më 10 shkurt 2023 u shënua 125-vjetori i shkrimtarit e dramaturgut gjerman Bertolt Brecht. I dëbuar prej nazistëve, Brecht jetoi për 15 vjet në emigracion. Heronjtë e tij ishin gjithmonë njerëzit e thjeshtë.

Qyteti i lindjes i Brechtit, Augsburgu, në 125-vjetorin e lindjes e nderon atë me një festival nën moton “Worldwide Brecht”, sepse shkrimtari, prej kohësh është kthyer në një ndër autorët më të frekuentuar në skenat e mbarë botës.

Opereta e tij Opera për tri grosh, shkruar më 1928, është ndër shfaqjet muzikore të vëna më shpesh në skenë në mbarë botën. Me këtë vepër Brechti pushtoi jo vetëm skenat në Britaninë e Madhe dhe në ShBA, por edhe në Japoni, Togo e Poloni, ku veprat e tij vazhdojnë të vihen edhe sot e kësaj dite në skenë. Opera për tri grosh trajton problemet e kohës kur Brechti jetonte, por që janë aktuale edhe sot. Personazhet sjellin në skenë një botë ku një hajdut xhepash duket njeriu më i ndershëm dhe parimor e korrupsioni dhe vjedhja kanë arritur kulmin duke kapur majat: kryepolici është kryemafiozi dhe koka e rrjetit kriminal.

Në qendër të Operës për tri grosh është figura e Meki Thikës, një gangster që me bëmat e paudhësitë e tij imponohej duke fituar pushtet. Motivi është marrë nga figura fiktive Kapiteni Macheath e trajtuar si nga John Gays te Opera e lypsarit. Brechti e ripërdori këtë figurë në veprën e tij. Që në hapje të operetës shfaqet direkt karakteri i Meki Thikës me strofën të shoqëruar nga muzika e Kurt Weilit:

Peshkaqeni ka dhëmbë, që i mban dukshëm në fytyrë
Ndërsa Macheath mban një thikë, që ju s’mund ta shihni kurrë
Ah, nga kreshta e skuqur e peshkaqenit e kupton kur është i përlyer në gjak
Por Meki Thika mban doreza që paudhësia të mos diktohet aspak”

Edhe te Nënë kurajo dhe fëmijët e saj (1941) në fokus janë njerëzit e përvuajtur të shoqërisë. Në të bëhet fjalë për një nënë që përpiqet t’i nxjerrë fëmijët e saj shëndosh prej luftës. Në Lome, regjisori Ramsès Alfa e ka vënë në skenë këtë shfaqje – që është gjithashtu një ndër pjesët më të njohura të Brechtit. Ramsès Alfan thotë se kjo pjesë i kujton atij ndihmëset e të korrave në fushat e lajthive në Togo, të cilat me fëmijët në kurriz punojnë në vapën përvëluese për një pagë sa për një kafshatë bukë. Ose ia kujton shitëset e rrugës në kryeqytetin Lome, të cilat në kërkim të klientëve lëvizin me ngarkesë të rëndë me limonada, fruta apo stofra duke trokitur derë më derë shtëpive për të siguruar të ardhura sado pak sa për të mbajtur frymën e familjes.

Por, jo vetëm në Togo, edhe në Japoni Brechti është mjaft i njohur. Sipas hulumtimeve të studiueses Monika Ayugai nga Universiteti i Qytetit të Nju-Jorkut, në fillim të shekullit XXI Brecht renditej fare pranë Shekspirit [William Shakespeare]. Në emigracion Brecht është marrë me letërsinë japoneze. I ftuar te kolegia e tij Hella Wuolijoki në Finlandë, zbuloi dramën japoneze Historia e trishtë e një gruajehistoria e Çink Okiçit, në të cilën një geishë në shekullin XIX josh një konsull nga ShBA-ja, për të shpëtuar qytetin e saj Shimoda nga sulmet e amerikanëve, por atë e poshtërojnë si tradhtare. Brechti nisi ta përkthejë këtë pjesë, u mrekullua nga fati i punonjëses së seksit të cilën pavarësisht aktit të saj heroik shoqëria e poshtëron.

Brechti i kaloi 15 vjet të jetës në emigracion, derisa pas Luftës së Dytë Botërore të kthehej sërish në Gjermani, por në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGj). Një ditë pasi ra zjarri në Rajshtag në vitin 1933, Bertolt Brecht bashkë me familjen dhe gruan e tij Helene Weigel u largua drejt Parisit dhe më pas në Danimarkë. Pak pas kësaj librat e tij u dogjën prej nacionalsocialistëve dhe u ndaluan. Më 1941 Brecht u vendos në Los Anxhelos në ShBA dhe më 1949 u kthye në Berlinin lindor.

Në veprat e tij ai vazhdimisht kritikonte padrejtësitë e kapitalizmit. “Tingëllon paradoksale, por Brecht si njeri dhe artist me pikëpamje ekstrem të majta, mund të ishte fare pranë ideologjisë dhe estetikës së Rusisë sovjetike, e në fakt nuk qe kështu”, konstaton studiuesja ruse e teatrit, Marina Davydova. Ajo vëren se Brechti u pranua me shumë ngurrim dhe rezerva në Rusinë sovjetike, sepse krerët e vendit e ndjenin potencialin shpërthyes të artit të tij. Brechti është i mprehtë dhe pa kompromis në artin e vet. Ai i flet direkt publikut, pa doreza. Kjo ka bërë që krerët sovjetikë të kishin rezerva ndaj veprave të tij.

Vetëm pas vdekjes së Stalinit, në vitet 1970 vepra e tij arriti të ketë sukses në Bashkimin Sovjetik. As sot në Rusinë e Putinit, Brechti nuk ka më shanse të vihet në skenë, shpjegon Davydova.

Brechti ka qenë mjaft i diskutueshëm edhe në Perëndim duke u konsideruar si komunist. Sidoqoftë ai ka lënë gjurmë me veprën e tij, e cila sipas regjisorit nga Togo Ramsès Alfa edhe sot pas 70 vjetësh së vdekjes është mjaft e preferuar, pasi ai rrëfen për njerëzit që kanë pak, që janë të shtypur dhe të margjinalizuar. Brechti ka shkruar qysh në moshë fare të re: Për pjesët e tij të para “Daullja e natës” dhe “Baal” më 1922 ai u vlerësua me çmimin Kleist (Heinrich von Kleist). /DW/

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...