“Ylli” i diplomacisë kosovare, biznesmeni Martin Berishaj, që Kosova e ka bërë ambasador në Kroaci, duket se ka zgjedhur për banim një vend goxha të kushtueshëm në Zagreb.
Shteti i Kosovës ia paguan ambasadorit Martin Berishaj hiç më pak se 2 mijë euro në muaj për banim, përveç pagës së tij mujore në mbi 3 mijë euro.
Kjo dëshmohet edhe në një dokument që ka siguruar Demokracia.com, ku figurojnë shpenzimet e banimit të ambasadorëve të Kosovës.
Berishaj, i cili që nga dekretimi si ambasador nuk njihet për ndonjë punë të hairit, përveç skandaleve financiare rajonale si “sekser” në tregun energjetik, ka jetuar në Lubjanë dhe është banor rezident në Slloveni.
Ai, po ashtu, ka qenë i angazhuar disa ditë gjatë javës edhe si profesor i rregullt në Universitetin e Lubjanës në fusha të shkencave shoqërore.
Martin Berishaj është faktuar që ka marrë qindra mijëra euro nga firma GEN-I, me bazë në Beograd.
Kjo firmë së bashku me Rudnapin në pronë të Vuk Hamoviç dhe EFT-në që është pronë e Vojin Lazareviç, kanë përfituar qindra miliona euro nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e vendet tjera të rajonit.
Të tri firmat në shumë artikuj të rrjeteve ndërkombëtare të gazetarëve janë cilësuar si pjesë e mafisë energjetike në rajonin e Ballkanit.
Demokracia.com pas pak do ta publikojë listën e plotë të qirave që paguhen kundërligjshëm nga ministria e Gërvallës për shumë ambasadorë. /Demokracia.com/
Leave a comment