activeKryesoreLajme

Gazeta Express: Opozita i kërkon llogari pse plani s’ka njohje, Kurti u tregon kë duhet ta pyesin – çfarë përplasje pati sot në Kuvend

Lumir Abdixhiku e pyeste pse pranoi propozimin evropian pa njohje. Memli Krasniqi e akuzonte se po fshihej e po frikësohej ta shpalosë planin franko-gjerman para deputetëve. Ramush Haradinaj, kësaj radhe, i ndihmoi Kurtit. Pas një serie replikash me liderët opozitarë, Kurti, ua tregoi adresën ku duhet ta kërkojnë njohjen.

Kryeministri Albin Kurti, kohë pas kohe, ngacmon opozitarët për ‘bindjen’ që ai thotë se e kanë ndaj zyrtarëve amerikanë. Këtë e bëri edhe sot, në fund të diskutimeve që i pati me Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn nga AAK-ja.

“Ju inkurajoj, qysh ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, qysh m’i thoni mua – aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë”, ka thënë Kurti.

Kurti e tha këtë pasi iu përsërit disa herë se ai e kishte pranuar propozimin evropian, ndonëse aty nuk është njohja e ndërsjellë. 

Kryeministri thotë se plani franko-gjerman është pranuar si bazë e diskutimit, si platformë, ku nisën diskutimi, e jo si një punë e kryer. 

“Propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje. I kam pyetur emisarët a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm”, tha Kurti. 

Kryetari i PDK-së, Memli Kransiqi, thotë se këto që i flet në Kuvend, i ka thënë kudo tjetër, edhe në Departamentin amerikan të Shtetit. 

Më herët, Kurti i ftoi liderët opozitarë që të shkojnë e ta lexojnë propozimin evropian në zyrën e tij – nëse duan. Krasniqi iu përgjigj edhe për këtë. Ai i kërkoi që ta sjellë planin në Kuvend, duke mos pranuar “kondifencialitetin” e dokumentit si arsye për fshehjen nga deputetët. 

“Sille këtu në seancë në Kuvend; thuaj ky është teksti, zotohemi për konfidencialitet, jemi të betuar me ligj mos me nxjerrë, e le ta shohin edhe deputetët e tu. Jo neni 10, preambula. Po e fshihni një të vërtetë të madhe, e keni degradu procesin”, ka thënë Krasniqi. 

Në fjalën e tij të mëhershme, Kurti tha se “po bëhet një betejë e madhe”, për ta vënë në krye, në qendër, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Për të njëjtën gjë e akuzoi më vonë Krasniqi, Kurtin. 

“Para 3-4 vitesh kemi folur për njohje të ndërsjellë, anëtarësim në OKB, marrëveshje finale ligjërisht obligative. Sot po flasim për marrëveshje bazike, e disa lëvizje përpara. Ndoshta na jep njohje Rumania e Greqia, ndoshta na fusin diqysh nëpërmjet një dere në Partneritet Për paqe, krejt i ke me ndoshta. Prej njohjes së ndërsjellë e ke Asociacionin në qendër”, tha kryetari i PDK-së. 

Kryetari i AAK-së ka dalë kundër qasje së dy krerëve të tjerë opozitarë, duke thënë se Qeveria Kurti e ka trashëguar nga ta marrëveshjen për themelimin e Asociacionit. 

“Për mua dhe AAK-në është i pranueshëm propozimi franko – gjerman. I kërkoj kësaj qeverie, pranoje dhe mos u vono. T’i mbajmë zgjedhjet në veri dhe ta kthejmë normalitetin”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar unitet në çështjen e Asociacionit. “Nëse mund të punojmë me dobësu Asociacionin, po punojmë të gjithë”. 

Kreu i LDK-së dhe i PDK-së kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për ta diskutuar planin franko-gjerman. U propozua që, në fund të fundit, të bëhet diskutimi edhe me dyer të mbyllura. 

Pas pak, dështoi një mocion i inciuar nga LDK-ja për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Kundër votoi Lëvizja Vetëvendosje. 

Kurti u pajtua që të ketë seancë të jashtëzakonshme pë Dialogun, por kërkoi që ajo të mbahet një ditë tjetër.

Ai tha se dëshiron që të flasë më opozitën, t’i njoftojë me propozimin që e ka pranuar, por këtë nuk mund ta bëjë në një seancë të hapur të Kuvendit.  

“Besoni mezi nuk presin të na akuzojnë se ne i nxorëm hollësitë. Procesi i dialogut duhet të jetë transparent por edhe konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty”, tha Kurti.

Kryetari i PDK-së e akuzoi Kurtin se po e hijeshonte planin franko-gjerman dhe po e arsyetonte atë “mirë dhe ëmbël”.  

“Fillove t’i vendosësh mjaltë këtij ilaçi të hidhur”, tha Krasniqi. 

Ai insiston se Kryeministri duhet t’ua tregojë të gjithëve në Kuvend planin, duke pyetur atë nëse po frikësohet nga emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe emisari evropian, Miroslav Lajcak, që ta ndajë me ta planin. 

“Pse po fshihesh prapë pas opozitës, pse po frikësohesh apo të ka frikësuar Escobari e Lajçaku. Qytetarët janë më të rëndësishëm se Escobari e Lajçaku”. 

Kryetari i LDK-së i është kapur Kurtit për njohjen “në qendër”, që Kurti e ka dhënë si qëndrim të Qeverisë, ndonëse njohja nuk parashihet në propozimin evropian. 

Abdixhiku thotë se Kurti nga “marrëveshja finale”, që e kërkonte Kosova, ka pranuar një “marrëveshje bazë”. 

“Kyeministër unë nuk po të gjykoj. Ju pyeta se çka nga platforma juaj është reflektuar në marrëveshjen që e ke pranuar. Dhe janë dy çështje shqetësuese: Ke pranuar që nga një marrëveshje finale të pranosh një marrëveshje bazë. Ti nuk po tregon se çka po bëhet, por e ke pranuar një dokument. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje finale dhe se për t’u bërë e tillë, do të bëhet një rrugë e gjatë me negociata. 

“Nuk është finale, është sërish një kornizë, është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje, që ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht obliguese, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na duhet”, tha Kurti. 

“Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër s’mund të ketë. Nuk është finale. Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive, e bën ndarjen e njohjes reciproke në ndarje de facto dhe de jure”, shtoi tutje ai. 

Kryeministri ripërmend “vlerat univerale” mbi të cilat ai thotë se është ndërtuar propozimi evropian, prandaj, për të, është një bazë e mirë mbi të cilën mund të negociohet. 

Qysh në fillim është pavarësia, demokracia, integriteti territorial, sovraniteti, vetëvendosja të drejtat e njeriut. Të gjitha janë vlera universale. Një marrëveshje bazë që ka vlerat universale brenda konsideroj se është e drejtë dhe e dobishme për Kosovën”, ka thënë Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti ka folur disa minuta edhe për kërkesën e Serbisë, të mbështetur nga ndërkombëtarët, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. 

Ai tha se po zhvillohet një betejë e madhe politike dhe diplomatike, për ta bërë Asociacionin çështje më të rëndësishme të planit franko-gjerman, ndonëse në propozim nuk i është dhënë një rëndësi e tillë, as në renditje.

“Fjalia e fundit në nenin 10 të propozimit evropian, po ashtu, referohet marrëveshjeve të mëhershme. Të gjitha marrëveshjeve në Bruksel. Beteja politike që aktualisht po zhvillohet është kjo: në njërën anë prej 33 marrëveshjeve, Beogradi do ta përzgjedhë vetëm një që e ka më të dashur, 19 prillit 2013, atë të Asociacionit. Ato marrëveshje nga pikëpamja e Qeverisë së Kosovës nuk kanë hierarki, as vlerore, as logjike. Ato kanë rend kronologjik, nuk janë nënshkruar të gjitha në të njëjtën ditë”, ka thënë Kurti.

“Dhe, beteja tjetër është që në kuadër të propozimit të Bashkimit Evropian, ai neni 10 i cili i referohet marrëveshjeve të mëhershme, me një lloj sforcimi dhe insistimi, të nxirret gati në preambulë. Kjo është e papranueshme për ne”. 

Pas këtyre diskutimeve dhe pasi opozita s’arriti të aprovojë kërkesën për seancë rreth dialogut, seanca e sotme në Kuvend ka vazhduar me pikat e caktuara të rendit të ditës. /Express/

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...