Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e dialogut që ndërmjetëson Brukseli.
Këto komente janë bërë në një debat që është zhvilluar në këtë komision lidhur me raportet për Kosovën dhe Serbinë.
Këto dy raporte janë hartuar nga raportuesit për këto dy vende: Viola Von Cramon për Kosovën dhe Vladimir Bilçik për Serbinë.
Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se “Kosova ka bërë një rrugë të madhe drejt demokracisë” dhe ka shtuar se “përkundër polarizimit politik që ekziston kohëve të fundit në Kosovë, ky vend ka ecur para disa vendeve të rajonit në arritjen e standardeve të demokracisë”.
Megjithatë, ajo ka thënë se duhet arritur më shumë përparim në fushën e gjyqësorit, në mënyrë që të zhduket ndikimi i panevojshëm politik.
Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, von Cramon ka deklaruar se kjo çështje varet nga reformat e brendshme, por edhe nga dialogu me Serbinë.
“Ky dialog kërkon udhëheqësi dhe përkushtim të qartë, dhe nuk duam që Kosova të shihet si palë që është më pak konstruktive në dialog”, ka thënë Von Cramon.
Ajo ka tërhequr vërejtjen se situata e sigurisë në veri të Kosovës është edhe përgjegjësi e BE-së.
Ndoshta duhet të forcojmë edhe praninë e EULEX-it në veri. Po ashtu duhet të shohim se cilin rol duhet të luajmë në dialog”, ka thënë mes tjerash ajo.
Deputeti austriak nga radhët e grupit të Partisë Popullore Evropiane, Lukas Mandle, ka thënë në fjalimin e tij se, sa u përket vlerave dhe orientimit evropian, “Kosova është para tjerëve, si me vlera, me demokraci, po ashtu me shoqërinë civile”.
Propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ky deputet e ka quajtur si “një njohje de faco, dhe diçka që është vonuar”.
Në debatin për Serbinë shumë deputetë kanë përsëritur kritikat për mungesën e përparimit në përshtatjen e politikave të këtij shteti me ato të BE-së, për sanksionimin e Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar.
Mes tjerash, në draftin e raportit të hartuar nga Viola von Cramon, “mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.
Sipas planit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë më 1 nëntor të këtij viti, nëse deri atëherë hyn në funksion sistemi elektronik i BE-së për autorizimin e udhëtimeve, i njohur me shkurtesën ETIAS, ose jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Parlamenti Evropian përsërit edhe kësaj radhe thirrjen për njohjen e Kosovës si shtet sovran nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë bërë një hap të tillë.
Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili “do të forconte besimin e ndërsjellë”.
Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Serbisë i bëhet thirrje që të mbështesë këto qëndrime për të dëshmuar se është e orientuar drejt integrimeve në BE. Në veçanti, raporti përmend edhe hapësirën që Serbia u jep disa mediave nga Rusia, për të funksionuar dhe për të shtrirë propagandën ruse.
Në Parlamentin Evropian ka propozime edhe për kushtëzimin e vazhdimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë me BE-në, me mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Deputetët e Parlamentit Evropian do të kenë mundësi deri me 15 shkurt të dorëzojnë amandamentet e tyre për këto raporte dhe më pas do të votohet për to dhe për raportin në tërësi.
Leave a comment