activeKryesoreLajme

Ambasada gjermane për Express: Nuk duhet vënë parakushte, Kosova ta implementojë Asociacionin

Kushtet e Kryeministrit Kurtit për Asociacionin nuk kanë gjetur mbështetjen e gjermanëve. Përderisa ambasada amerikane nuk jep koment për to dhe Lajcak refuzon ta bëjë publik qëndrimin e BE-së, Ambasada gjermane në Prishtinë nuk e vlerëson me vend vënien e parakushteve. Asociacioni, për gjermanët, gjithsesi se duhet të bëhet. Ata përmendin situatën e brishtë në Veri duke thënë se pikërisht për këtë, nevojitet qasje konstruktive. 

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij më të fundit për Asocicionin, përmes gjashtë kushteve që i shpalosi në Kuvend. Duke kundërshtuar sistematikisht themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se do ta konsideronte atë, pas plotësimit të gjashtë kushteve të tij. 

Ato më pas i ka ndarë me diplomatët e huaj dhe përfaqësuesit perëndimorë që janë përfshirë si ndërmjetës për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. 

Njëherë për njëherë, amerikanët kanë evituar dhënien e ndonjë komenti rreth kushteve të Kurtit, ndërsa Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, ka thënë se BE-ja e ka një qëndrim rreth këtij kushtëzimi, por nuk do ta thotë publikisht. 

Ndërsa, nga Ambasada gjermane, duke kujtuar situatën në aspektin e sigurisë në veri, thonë se nuk duhet vënë parakushte për Asociacionin.

“Një qasje konstruktive është urgjente duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe nuk duhet vënë parakushte”, ka thënë zëdhënësi Sebastian Leuschner për Gazetën Express. 

Ambasada gjermane rikthekson rëndësinë që e ka për ta plani i iniciuar nga Gjermania dhe Franca, nën siglën e Bashkimit Evropian. 

“Propozimi evropian, i bazuar në iniciativën franko-gjermane, është një mundësi historike që duhet të kapet nga të dyja palët. Ai synon vendosjen e raportit mes Kosovës dhe Serbisë në një bazë të re”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. 

Gjashtë pikat e prezantuara nga Kurti nuk e kanë lëkundur Ambasadën gjermane nga qëndrimi i vet për “rëndësinë e Asociacionit”. 

“Iniciativa [plani franko-gjerman] është një mundësi unike për përparim të madh në këtë çështje, e cila e ka mbajtur veçanërisht Kosovën mbrapa, politikisht dhe ekonomikisht, për shumë vjet. Për Kosovën, një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është që të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin janë pajtuar në vitin 2013/2015”. 

Lajcak të hënën ka ngrënë drekë me Kurtin në Prishtinë dhe aty tha se ia ka kumtuar qëndrimin e BE-së për kushtet rreth Asociacionit. 

“Kemi folur për këtë çështje [6 kushtet e Kurtit] dhe e informova kryeministrin rreth pozicionit tonë por s’dua ta bëjë publike analizën legale, ishte e dobishme që e diskutuam këtë”, tha Lajcak.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka zbardhur pak këtë sekret të Lajcakut, duke thënë se “BE-ja ka vërejtjet e saj në dy kushte”, pa treguar se për cilat saktësisht. 

Deri tash, Perëndimi që e kërkon me ngulm formimin e Asociacionit, publikisht, nuk ka ofruar hapësirë negocimi të kushteve që ka vënë Kryeministri i Kosovës. 

Ndonëse Kurti kushtëzon “për ta konsideruar” themelimin e Asociacionit, Ambasada amerikane në Prishtinë ka nisur diskutimet pa dëshirën e Kryeministrit për ta formuar atë. 

6 kushtet e Kurtit për Asociacionin

Duke kryesuar korin e Lëvizjes Vetvënedosje se ‘Zajednica’ nuk bëhet, Kurti ia ka prezantuar deputetëve në Kuvend gjashtë pikat e tij për pranimin e Asociaconit.

Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.

I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit  ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.

Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”. /Express/

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...