Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Bashkimi Evropian ka paraqitur vërejtjet e saj për dy nga gjashtë kushtet e kryeministrit Albin Kurti për pranimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media të mërkurën, Bislimi nuk ka shpjeguar se cilat nga dy kushtet e Kurtit nuk janë pranuar nga Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun.
“Gjashtë kushtet që ka propozuar Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur është në Prishtinë”, ka thënë Bislimi të mërkurën, raporton Paparaci.
Bislimi ka deklaruar se Kurti nuk e ka pranuar asnjë nga marrëveshjet e kaluara të arritura në dialogun Kosovës-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.
Zëvëndësi i Kurtit ka deklaruar se kryeministri është pajtuar për platformën e planit franko-gjerman, por jo për marrëveshjet e kaluara.
“Ajo që z. Kurti ka nxjerrë pas takimit është se ai është dakord me platformën e planit franko-gjerman. Për platformën e cila përmban principet dhe veprimet bazë, ndërkaq gjithçka që ka të bëjë me platformën implementimin e saj duhet të diskutohet në ankesin implementues mes palëve në Bruksel. Do të thotë plani franko-gjerman i tregon vetëm kornizat bazë që nënkupton njohjen de fakto mes dy shteteve, ndërkaq se si do të jetë sekuencimi i hapave, për këtë pastaj diskutojnë palët në Bruksel. Prandaj, nuk ka pasur diskutim për asnjë marrëveshje paraprake, por për kornizën e propozimit franko gjerman”, ka thënë ai.
Bislimi ka folur edhe për kompaninë “Elektrosever”, me ç’rast e ka fajësuar këtë të fundit dhe Bashkimin Evropian për moszbatim të marrëveshjes për energjinë.
Bislimi ka thënë se e vetmja nga pjesëmarrësit në marrëveshje, “që i ka përmbushur në plotësi obligimet e saj, sipas udhërrëfyesit, ka qenë Qeveria e Kosovës”.
“E ka licencuar ‘Elektroseverin’ dhe e ka pajisur me kodin e identifikimit për energji. Janë nënshkruar marrëveshjet mes KOST-it dhe ‘Elektroseverit’. Pikat e papërmbushura janë dërgimi i të dhënave të konsumatorëve, që është dashur të kryhet për 7 ditë nga ‘Elektroseveri’, që nuk ka ndodhur ende, pos disa të dhënave të falsifikuara të dërguara pas 100 ditësh. Nuk është përmbushur as pika e nënshkrimit të marrëveshjes apo kontratës kornizë mes KEDS-it dhe ‘Elektroseverit’ e nuk është përmbushur as pika e pestë e marrëveshjes, që KEDS-i dhe KOST-i të kenë qasje të përhershme në nënstacionin në Valaq”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, arsyeja pse s’është finalizuar udhërrëfyesi, që ka paraparë që gjendja të normalizohet deri në tetor, “është në rezistencën e ‘Elektroseverit’ që të nënshkruajë marrëveshje sipas udhërrëfyesit”.
“Ata insistojnë në respektimin e një marrëveshjeje tjetër që ata gjoja e kanë arritur me KEDS-in në Stamboll, e cila s’ka të bëjë asgjë me marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, nuk janë përmbushur as obligimet e Bashkimit Evropian.
“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e marrëveshjes deri tani e ka vetë Brukseli apo ndërmjetësit në Bruksel, të cilët jo vetëm e kanë toleruar takimin në Stamboll, por edhe kanë dërguar sinjale të gabueshme tek ‘Elektroseveri’ përmes interpretimeve të neneve të gabueshme të marrëveshjeve që s’kanë të bëjnë asgjë me udhërrëfyesin”, ka deklaruar ai.
Leave a comment