Lajme

Kamberi: S’mund të ketë standarde të veçanta

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se standardet që do të vendosen për komunitetin serb në Kosovë, duhet të jenë standarde për të gjitha pakicat në Ballkanin Perëndimor.

“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë krijimin e standardeve të veçanta, që do të vlejnë për një pakicë ‘hyjnore’ në veri të Kosovës”, thotë Kamberi për rel duke iu referuar pakicës serbe.

Fundjavën e kaluar, Kamberi dhe disa përfaqësues të boshnjakëve që jetojnë në Serbi, takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kërkesë e tyre e përbashkët ishte që pakicat në Serbi të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse pakica serbe në Kosovë.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga kabineti i Kurtit, ata u shprehën të pakënaqur me pozitën e shqiptarëve dhe të boshnjakëve në Serbi, sidomos në komunat: Novi Pazar, Tutin, Sjenicë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Komunitetet e ndryshme duhet të trajtohen pa dallim në kuadër të parimeve universale dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët kanë para vetes një plan evropian për këtë qëllim. Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por versioni në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ka përfshirë, mes tjerash, një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Serbi?

Kamberi, i cili është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se kërkesa themelore e shqiptarëve është që të kenë trajtim të barabartë në shtetin ku jetojnë.

Si çështje problematike, ai përmend “pjesëmarrjen joadekuate” të shqiptarëve në punën e institucioneve shtetërore dhe arsimimin.

“Pesëmbëdhjetë breza të të rinjve shqiptarë përballen me mosnjohjen e diplomave [nga Kosova] dhe ata po ikin prej këtu”, thotë Kamberi.

REL-i pyeti Ministrinë e Arsimit të Serbisë se sa diploma të marra në Kosovë janë njohur dhe a njihen ato vetëm për vazhdim të shkollimit apo edhe për punësim, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kamberi thotë se janë duke kërkuar edhe ato të drejta që Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës ua garantojnë minoriteteve me standardet e tyre.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...