Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka theksuar përfaqësuesve të përhershëm të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorit britanik në Kosovë se propozimi evropian është platformë solide për të ecur përpara në dialogun me Serbinë.
Kurti të martën u takua me ambasadorët e QUINT-it në OSBE, Michael Carpenter, përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-së, Christine Fages, përfaqësuese e Përhershme e Francës, Gesa Braeutigam, përfaqësuese e Përhershme e Gjermanisë, Stefano Baldi, përfaqësuesi i Përhershëm i Italisë dhe Neil Bush, përfaqësuesi i Përhershëm i Britanisë së madhe, si dhe Nocholas Abbottin, ambasadorin britanik në Prishtinë, ku diskutuan për shumë çështje.
“Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kryeministri Kurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Diskutuan edhe për, sipas njoftimit, bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës. Kurti shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e OSBE-së dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë institucioneve të Kosovës.
“Kurti i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian”, vijon njoftimi.
“Ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma. Në të njëjtën kohë, konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Leave a comment