Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ripërsëritur se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje që nuk e përmban njohjen.
Kjo parti, përmes një komunikate për media të martën ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të raportojë në Kuvend për dialogun.
“Për LDK-në, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin”, thuhet në komunikatë.
Reagimi i LDK-së vjen pak pasi Miroslav Lajçak, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se “i vjen mirë që edhe Kosova tani ka pranuar në parim propozimin evropian”.
“Kam udhëtuar në Prishtinë për ta takuar kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe në Beograd për ta bërë të njëjtën me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviqin. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e ka pranuar në parim propozimin evropian. Do të vazhdojmë diskutimet në takime të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçaku në Twitter të martën në mëngjes.
Leave a comment