Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, “marrëveshja e përkohshme” do të sjellë përfitime për Prishtinën dhe Beogradin.
“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë”, shkroi ai në Twitter.
Më 6 shkurt, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pranon propozimin e bllokut evropian.
Ai tha se e konsideron këtë propozim si “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
BE-ja vitin e kaluar u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman.
Ky propozim nuk është bërë publik. Por, Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në të dhe ai parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se pranojnë propozimin e BE-së dhe janë të gatshëm ta zbatojnë atë.
Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – proces që ka mbështetjen e SHBA-së – që nga viti 2011.
Ky proces synon normalizimin e plotë të raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të negociatave. Kosova kërkon që marrëveshja eventuale të përfshijë njohjen reciproke, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe” dhe Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Leave a comment