Ka nisur takimi mes të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe Kryeministrin të vendit, Albin Kurti.
Lajçak tanimë veçse ka arritur në vendin ku do të takohet me dyshen, Kurti dhe Bislimi, raporton nga vendi i ngjarjes për Gazetën Online Reporteri.net, gazetar Venhar Isufi.
Lajçak dhe Kurti po takohen për një drekë pune ku siç bëri të ditur kreu i ekzekutivit sot do të diskutojnë për gjashtë kushtet që ai ka përmendur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pjesë e këtij takimi do të jetë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Lajçak, përveç Kosovës sot do ta vizitoj edhe Serbinë.
Gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës në Kuvendi i Kosovës, prezantoi gjashtë kushtet e Qeverisë së tij për themelimin e Asociacionit. Kjo ishte hera e parë që qeveria foli dhe tregoi qasjen e saj ndaj Asocacionit.
Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.
Leave a comment