Themeluesi i Kompanisë “Tesla”, Elon Musk është liruar nga akuzat që lidhej nga një postim i tij në Twitter, në të cilin shkroi se “ka mjetet e siguruara” për të privatizuar kompaninë.
Musk u ballafaqua me padi nga ortakët e kompanisë “Tesla”, të cilët thanë se i ka mashtruar me postimet e tij në gusht të vitit 2018.
Mirëpo, blerja e propozuar prej 72 bilion dollarësh nuk u materializuar asnjëherë.
Në qoftë se, juria e San Franciskos e kishte shpallur fajtor, ai do të urdhërohej të paguante biliona dollarë për dëmtime, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Nëntë anëtarëve të jurisë iu deshën më pak se dy orë për të marrë vendimin e tyre të premten pasdite.
Musk – i cili donte që gjyqi të zhvendosej në Teksas, ku është vendosur Tesla, duke argumentuar se nuk mund të merrte një gjykim të drejtë në San Francisko – e mirëpriti rezultatin.
Në Twitter, platformën e mediave sociale që ai bleu për 44 miliardë dollarë tetorin e kaluar, ai postoi: “Falë Zotit, mençuria e njerëzve ka mbizotëruar!
Në qendër të padisë ishte postimi i zotit Musk në Twitter më 7 gusht të vitit 2018: “Po shqyrtoj marrjen private të Teslas me 420 dollarë. Financimi i siguruar”.
Paditësit gjithashtu argumentuan se Musk kishte gënjyer kur ai postoi në Twitter më vonë gjatë ditës se “mbështetja e investitorëve është konfirmuar”.
Çmimi i aksioneve u rrit pas postimeve në Twitter, por ra përsëri brenda disa ditësh pasi u bë e qartë se marrëveshja nuk do të realizohej.
Humbjet e investitorëve u llogaritën deri në 12 miliardë dollarë, sipas një ekonomisti të punësuar nga aksionerët.
Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC) paditi Musk për postimet e tij në Twitter, duke e akuzuar atë për gënjeshtra ndaj investitorëve. Musk pranoi të largohej si kryetar i bordit të Tesla-s dhe u pajtua me 20 milionë dollarë.
Gjatë gjykimit që zgjati tre javë, Musk, i cili gjithashtu drejton SpaceX dhe Twitter – kishte argumentuar se mendonte se kishte një angazhim verbal nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite për marrëveshjen.
Gjatë gati nëntë orëve në qëndrimin e dëshmitarit, njeriu i dytë më i pasur në botë tha: “Vetëm sepse unë postoj diçka në Twitter nuk do të thotë që njerëzit e besojnë atë ose do të veprojnë në përputhje me rrethanat.”
Aksionarët kishin argumentuar se “fondet e siguruara” sugjeronin më shumë se një marrëveshje verbale.
Leave a comment