Lëvizja Vetëvendosje po konsideron se me vlerën e re të koeficientit të pagave, pagat e punëtorëve të administratës publike në Kosovë janë ndër më të lartat në rajon. Mirëpo ligji po konsiderohet zhgënjyes nga përfaqësuesit e Administratës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, tha se me vlerën e re të koeficientit, qereku i zyrtarëve publikë kanë 100 për qind paga më të larta.
Ajo tha se me këtë ligj ka po ashtu një rritje të pagës mesatare të sektorit publik në 768 euro.
“Nuk ka pasur lëvizje në raport me pagat që mbi afro 11 vite me radhë, andaj edhe kushtet në raport me tregun dhe ekonominë, kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Besoj që ligji në tërësi trajton çështjen e rregullimit të këtij sektori. Sektorit të pagave i janë shtuar rreth 111 milion euro, të cilat janë shpërndarë në kategori”.
“Vlen të ceket që në raport me administratën në tërësi apo në raport me zyrtarët publikë, ¼ e tyre merr pagë 100 për qind më të lartë, kemi një rritje të pagës mesatare të sektorit publik në 768 euro. Kemi edhe sektorë të cilët janë konsideruar më të ndjeshëm në këtë aspekt”, tha ajo, për EO.
Deputetja Statovci po ashtu shtoi se me koeficientin e ri Kosova i’u është afruar standardeve të Bashkimit Evropian dhe se paga mesatare e sektorit publik është ndër pagat më të larta edhe në krahasim me rajonin.
“Nga një raport që ka qenë 1 me 20 në mes të pagës më të ulët edhe pagës më të lartë i jemi përafruar standardeve të Bashkimit Evropian të cilët e mbajnë një raport 1 me 6. Andaj ne shohim edhe një praktikë të tillë edhe në vendin tonë. Nëse e shohim pagën mesatare të sektorit publik është ndër pagat më të larta edhe në krahasim me rajonin, po besoj që efektet e saj më së miri do të shihen pas fillimit të implementimit të tij”, tha ajo.
Leave a comment