Alarmet për sulm ajror u dëgjuan në Kiev dhe në të gjithë Ukrainën më 3 shkurt, teksa liderët e Bashkimit Evropian dhe ukrainas po mbanin një takim historik.
Samiti Ukrainë-Bashkimi Evropian po mbahet të premten në Kiev, teksa ky shtet po vazhdon të përballet me pushtimin e Rusisë.
Udhëheqësit e BE-së pritet të shpalosin sanksione të reja kundër Rusisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Kiev të enjten, pas një udhëtimi simbolik me tren për të treguar mbështetjen për Ukrainën, e cila po i afrohet përvjetorit të parë të pushtimit rus.
Pas samitit, Von der Leyen dhe Zelensy do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
“Fakti që ky samit do të mbahet në Kiev është një sinjal i fuqishëm edhe për partnerët, edhe për armiqtë”, deklaroi më herët kryeministri ukrainas, Denys Shmygal.
Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022, dhe forcat e tij vazhdimisht kanë sulmuar infrastrukturën civile, përfshirë edhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Shtetet e BE-së e kanë mbështetur me vendosmëri Ukrainë që kur Moska nisi pushtimin në shkurt, duke goditur Rusinë me një valë ndëshkimesh ekonomike dhe duke i dërguar armë Kievit.
Leave a comment